stomatologji

PËR ORTODONCINË

              en

 

Ortodoncia është degë e stomatologjisë e cila merret me studimin e rritjes së dhëmbëve, nofullave dhe  fytyrës dhe me studimin dhe trajtimin e malokluzioneve (dhëmbëve të shtrembërt-kafshimeve të çrregullta). Fjala Ortodonci ka origjinë Greke, nga fjalët ortos-drejtë ose i/e rregullt dhe nga fjala odus- dhëmb. Malokluzionet mund të paraqiten për arsye gjenetike, ose te shkaktohen nga faktorët e jashtëm. Ato mund të manifestohen si çrregullim i rradhitjes së dhëmbëve, disproporcion i  dhëmbëve  ose/dhe i nofullave, diskrepancë e raporteve ndërnofullore etj.

Edward Angle (Eduard Engël), nje dentist Amerikan, ishte i pari që jo vetëm se e definoi Ortodoncinë si një lëmi të re, por gjithashtu dha një kontribut të madh në zhvillimin e mëtutjeshëm të ortodoncisë. Ai konsiderohet si “Babai I Ortodoncisë”.

Më vone Ortodoncia ka evoluuar gjatë shekullit XX, e posaçerisht në vitet e para të këtij  mileniumi. Teknika të reja dhe materiale moderne e kanë përmrësuar tërë procesin, si në pikëpamje diagnostike, ashtu edhe në atë terapeutike.

 

PËR FËMIJË DHE TË RRITUR

Ortodoncia për fëmijë

Më së miri është që fëmijët të vizitohen te ortodonti deri në moshën 7 vjeçare, në mënyrë që të ai  të japë mendim për tretman eventual ortodontik. Molarët e parë të përhershëm (dhëmballa e parë) dhe incizivët (4 dhëmbët e përparmë) zakonisht kanë dalë deri në këtë moshë dhe mundësojnë vlerësimin e problemeve eventuale. Kur tretmani fillohet herët, ortodonti mund të orientojë rritjen e nofullave dhe daljen e dhëmbëve të përhershëm.  Tretmani i hershëm mund ta rregullojë gjerësinë e harkut të sipërm dhe të poshtëm, mund të krijojë hapësire për dhëmbët e përhershëm, mund ta eliminoje nevojën për ekstrakcionin (nxjerrjen) e dhëmbëve të përhershëm, mund ta reduktojë shansën e impakcionit (kur dhëmbët mbeten në nofull- nuk dalin), të korrigjojë thithjen e gishtit/gishtërinjëve  dhe të eliminojë gëlltitjen abnormale, ose problemet në të folur. Me fjalë të tjera, tretmanet e hershme mund të eliminojnë, ose lehtësojne tretmanet eventuale në të ardhmen.

 

Planifikimi i hershëm mund t’ju shpëtojë buzëqeshjen në të ardhmen

Fëmijët rriten shpejt dhe mund të përfitojnë shumë nga tretmanet ortodontike me ndihmën e aparateve të cilat e orientojnë rritjen e nofullave. Kështu, mund të krijohet një bazë e mirë, e cila siguron hapësirë adekuate për të gjithë dhëmbët e përhershëm. Kjo mund të parandalojë ekstrakcionin(nxjerrjen) e dhëmbëve të përhershëm dhe mund të korigjojë dendësinë dhe/ose procedurat kirurgjike. Nëse këto situate lihen të patrajtuara deri në momentin e daljes së dhëmbëve të përhershem, mund të ketë si pasojë diskrepancë aq të madhe të nofullave sa që edhe me terapi fikse mund të jetë vështire të arrihet rezultat ideal.

 

Ortodoncia për të rritur

Tretmanet ortodontike mund të aplikohen në çdo moshë. Të rriturit e çmojnë edhe më shumë buzëqeshjen e bukur. Një në pesë pacientë në ortodonci është mbi 21 vjeç. Operacionet kirurgjike të nofullave janë të nevojshme më shpesh te të rriturit, për arsye se nofullat e tyre e kanë përfunduar rritjen. Të rriturit poashtu mund të kenë përjetuar ndonjë dëmtim, ose humbje të dhëmbëve dhe strukturës kockore e cila i rrethon dhe mund të kenë nevojë për tretman parodontologjik (për mishin e dhëmbëve dhe strukturën fqinje), para, gjatë dhe/ose pas tretmanit ortodontik. Humbja e kockës mund të kufizojë gjithashtu sasinë dhe drejtimin e levizjes së dëshiruar të dhëmbëve.

Një rol tjetër shumë i cmuar është tretmani ortodontik ndihmës në rastin e pacienteve të protetikës. Këto lloj tretmanesh pregatisin (forcojnë) dhëmbët për konstrukcione protetike.

 

 

Analizat-të dhënat individuale për çdo rast e përcaktojnë tretmanin tuaj unik

 

Dosja me të dhëna ortodontike është e nevojshme për ta përcaktuar llojin e tretmanit, aparatet të cilat do të përdoren, kohëzgjatjen e tretmanit dhe frekuencen e vizitave. Të dhënat përfshijnë: modelet e dhëmbëve, rendgenin e nofullava dhe dhëmbëve-Ortopanin dhe fotografite. Në raste të veçanta është i nevojshëm edhe Cefalogrami (rendgeni i kokës, kryesisht në profil).